Luhatja e Juventusit: Duhen 60 milionë euro për Zaniolon, Dibalën mund ta humbasim për zero euro!

Fillimisht u shkruajt se klubi italian duhet të humbiste Mekkenin për t’i lejuar vetes sulmuesin e Romës, ndërsa tani në media komentohet se dyzimi juventin është për dyshen Zaniolo-Dibala. “La Gazeta delo Sport” informon se drejtuesit e “Zonjës së Vjetër” duhet të zgjedhin mes kapitenit dhe yllit të ri verdhekuq, pasi siç duket kështu janë arsyet e bilancit financiar, por edhe të aspektit teknik të trajnerit Alegri.

Vlera e kartonit të argjentinasit arrin në 50 milionë euro, por Juventusi do ta humbiste me parametër zero sepse kontrata mbaron në qershor. Në moshën 28-vjeçare ai është një bast i vështirë, për shkak të dëmtimeve dhe për shkak të luhatjeve të formës, ndërsa nuk mund të ketë justifikime se është i ri. Kapiteni bardhezi është në moshën kur duhet të jetë në kulmin e formës. Sa për Zaniolon, ai do të kushtonte të paktën 50-60 milionë euro dhe ish-kampionët mund të ishin të detyruar të shpenzonin shumë, ndërsa nga ana tjetër të mos fitonin gjë nga Dibala, përveç heqjes së shpenzimit të rrogës.

Sfidanti.al