Liverpuli ia del edhe pa Salah-Mane, shpresa mbetet sa kohë të jetë Zhota!

Një tjetër hap në drejtimin e duhur dhe pikërisht në kohën kur është më e rëndësishme. Liverpuli fitoi 2-0 ndaj Leisterit në “Anfild” në Premier Ligë, ndërsa afrohn Championsi me sfidën ndaj Interit. Diogo Zhota shënoi të dy golat, duke treguar se është lojtari i duhur jo vetëm si alternativë për treshen ofensive Salah-Mane-Firmino, por edhe meriton të jetë titullar, ashtu siç shpesh e aktivizon Jurgen Klopi. Mohamed Salahu, edhe pse erdhi direkt nga Kupa e Kombeve të Afrikës, u hodh në fushë në lojë e sipër, në minutën e 60-të në vend të Firminos. Liverpuli pati epërsi të plotë ndaj një ekipi që deri vjet ishte tepër i fortë dhe që mbetet fitues i Kupës së Anglisë në fuqi. Topi u mbajt 70 për qind, gjuajtjet ishin 20-3 drejt portës dhe 12-1 në kuadrat (!!!).

Liverpuli ka tani 51 pikë, duke qenë 9 pikë prapa Mançester Sitit që mban kreun, por duke pasur edhe një ndeshje më shumë për të luajtur. Potencialisht, diferenca do të jetë 6 pikë, pra mund të luftohet për titull. Arsenali, ndërkaq, hodhi një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit për në Champions sezonin e ardhshëm, me fitoren 1-0  në fushën e Uolvesit. Gabriel Magaljaesh shënoi në pjesën e parë, por Martineli u përjashtua me të kuq në 69’. Siti kryeson me 60 pikë në 24 ndeshje, Liverpuli ka 51 në 23 ndeshje, Arsenali është i 5-ti me 39 pikë, por me më pak ndeshje të luajtura se Uest Hemi apo Mançester Junajtidi.

Sfidanti.al