Arsen Vengeri nuk ishte shumë i presdipozuar që të fliste pas një humbje tjetër turpëruese (1-5) që Arsenali i tij pësoi, në kuadrin e Ligës së Kampioneve, kësaj radhe nga Bajerni i Mynihut. Në fakt, të zgjedhurit e trajnerit francez luajtën mjaft mirë në 45 minutat e para, kur rezultati ishte 1-1, por, më pas, gjithçka shkoi drejt tatëpjetës, pasi bavarezët shënuan, në pjesën e dyte, plot katër gola në portën e Ospinit. Vengeri mezi i zgjidhte fjalët që të shpjegonte arsyen se përse ekipi i tij pësoi një kolaps të pazakontë në pjesën e dytë, por, sidoqoftë, si një nga shkaqet sa veçoi daljen jashtë të Loren Kosielnit që, për shkak të dëmtimit, u detyrua ta linte fushën e lojës, kur rezultati ishte 1-1.
“Me të vërtetë, e kam shumë të vështirë që ta shpjegoj këtë humbje. Para fundit të pjesës së parë, ne kishim dy shanse të mirë që të shënonim gol dhe ta kryesonim ndeshjen. Ne po luanim mirë, por në pjesën e dytë, shpejt, ne humbëm Kosielnin që doli jashtë, kur rezultati ishte 1-1, dhe, pikërisht, në atë kohë, filloi lëkundja jonë. Ne pësuam një rënie mendore pas atij ndryshimi në lojë, filluam që të lëkundshim plotësisht. Sidoqoftë, dua ta pranoj se Bajerni është një ekip më i mirë sesa neve. Goli i tretë, thjesht, na shkatërroi dhe, në vazhdim, ne nuk arritëm që të reagonim.
Sfidanti.al