Pas humbjes së thellë (1-5) të Arsenalit ndaj Bajernit të Mynihut në Ligën e Kampioneve, po kulmojnë ditët e keqia edhe për pjesëtarin e përfaqësueses gjermane, Mesut Ozil, që, në fakt, ka muaj që nuk “po duket në fushë”, ndërkohë që nuk ishin të paktë zërat se ai nuk duhej që të përfshihej në formacionin e parë në ndeshjen me Bajernin dhe se ky shans i jepet atij vetëm për hir të emrit. Ozili nuk u duk as në ndeshjen e mbrëmshme dhe gishti i fajësimit drejtohet tek ai, sidomos, në rastin e golit të parë, kur nuk u tregua aspak difensiv. Ai kishte mundësi që “ta mbyllte” Robenin dhe të mos ta linte atë që të gjuante, por Ozili vetëm se qëndroi pa lëvizur, duke e ndjekur me indiferencë golin e shënuar. Kontrata me Ozilin, në fakt, përfundon këtë sezon, sidoqoftë, bisedimet për ripërtëritjen e saj po zgjaten dhe, pas zhvillimeve të fundit, duket se ai po luan ndeshjet e fundit mer “topçinjtë”.
Rruga e largimit nga Arsenali është e hapur edhe për futbollistin kilian, Aleksis Sançez, ndërkohë që për të po vijnë oferta nga katër anët, sidomos, nga Juventusi dhe PSZH-ja. Sançezi është mjaft i zemëruar, për shkak se Arsenali nuk është më konkurrent serioz dhe, ndërkohë, kërkon një pagë më të lartë sesa ajo që i ofron atij klubi. Situata e tij lidhur me kontratën e rë është e njëjtë si në rastin e Ozilit, ka shumë mundësi që kontrata të mos ripërtërihet dhe ky klub londinez të pranojë ndonjë nga ofertat e paraqitura. Arsenali, në fakt, ka nevojë për një “ristartim”, si në rastin e kompjuterit, kur nuk punon mirë, ka nevojë për gjak të ri, projekt të ri dhe një trajner të ri që do të mund të formojë një ekip të ri, më konkurrues për vende më të lartë, që të luftojë për titull në Premier Ligë dhe të shpresojë që, ndonjë ditë, të arrijë në finale të Ligës së Kampioneve.
Sfidanti.al