Broja madhështor ndaj Sitit, gol i anuluar, shtyllë, rrezik i përhershëm!

Nuk arriti të shënonte, por ishte një kërcënim i përhershëm për 90 minuta e më shumë për skuadrën më të mirë të Anglisë, e ndoshta më të mirën e botës, këtë moment. Armando Broja ishte madhështor ndaj Mançester Sitit të Pep Guardiolës, dhe shqiptari padyshim ishte ndër më të mirët në fushë edhe pse nuk shënoi gol. Ai e dërgoi një herë topin në rrjete, duke iu shmangur mbrojtësve e mposhtur portierin, por ishte në pozicion jashtë loje. Po ashtu mund të kishte fituar penallti, i penguar nga Ederson, por ishte sërish jashtë loje. Më pas, 20-vjeçari shpërtheu duke kaluar mbrojtjen e fortë të Sitit, por në momentin e fundit u ndal nga Laporte. Kjo në minutën e 52-të, dhe menjëherë gjatë goditjes nga këndi, Broja goditi me kokë dhe topi u përplas në shtyllë nga 2 metra larg, e pastaj porta u shpëtua nga Ederson.Kajl Uolker-Piters kaloi Sauthemptonin në epërsi 1-0 në 7’, ndërsa Ajmerik Laporte fitoi të paktën pikën për Guardiolën në 65’. Siti mbajti topin 74 për qind, por kjo nuk bëri “fajde”, dhe Sauthemptoni pati 3 gjuajtje në kuadrat ndaj 6 të kampionëve. Në këtë mënyrë, Mançester Siti e ndali serinë e fitoreve pas 12 të arritura radhazi.

Sfidanti.al