Kritikat për të ishin bërë disi të forta, dhe toni ishte ngritur, siç ndodh për një sulmues që rri shumë ndeshje në kampionat pa shënuar gol (1 rrjetë në 11 përballje). Edin Xheko e bëri kthesën dhe çfarë kthese, duke shënuar një gol me kaq shumë peshë saqë bëri të harrohej gjithë periudha e gjatë e “thatësisë”. Sulmuesi 35-vjeçar boshnjak pati gjakftohtësinë të dërgonte topin në rrjetë në minutën e fundit, duke shpëtuar Interin nga një gafë e rëndë, dhe një mbrëmje negative e ktheu në një përfundim të shkëlqyer. Sukses 2-1 ndaj Venecias në Serinë A, dhe diferenca me Milanin është 5 pikë, dhe ekipi i Piolit do të luajë nesër në mbrëmje ndaj Juventusit, pra, ku i dihet, edhe mund të ndalet.
Tomas Henri kaloi Venecian në epërsi në 19’, ndërsa Nikolo Barela barazoi 5 minuta para përfundimit të pjesës së parë. Më pas pati një lojë nervoze me sulme të parreshtura, me 70 për qind mbajtje topi, me 17 gjuajtje ndaj 3 të miqve, me 11 portë (3, Venecia) dhe me goditjet e këndit 6-0. Gjithsesi, u desh të pritej deri në fund për golin e Xhekos. “Inzagi e kupton futbollin, – tha boshnjaku që ndoshta bëri edhe faull në momentin e golit, – ai e di që mund të shënoj edhe në fund. Golat më mungonin, edhe ekipit i mungonin, por rëndësi ka që kemi fituar edhe pa ata. Ne jemi të lodhur, dhe mirë që ndërpritet kampionati. Fusha e “San Siros” është një katastrofë”. Interi ka 53 pikë me golaverazhin +36, ndërsa Milani ka 48 dhe diferencën e golave +22!
Sfidanti.al