Dominoi Tiranën, por ka harruar të fitojë: Vllaznia, 4 barazime radhazi!

Pas ndeshjes në “Arenën Air Albania” (duke lënë mënjanë dhunën e tifozëve të të dyja skuadrave), Vllaznia fitoi shumë pikë në opinionin publik që ndjek futbollin shqiptar. Shprehimisht, shkodranët dominuan skuadrën numër 1 në Shqipëri, sot për sot, dhe ishin pa fat që nuk fituan. Gjithsesi, ja ku kaluan fare pak ditë dhe kuqeblutë patën rast për të treguar veten në fushën e tyre ndaj Egnatias, ekipit të vendit të parafundit në Superligë. Ndryshe nga sa pritej, mezi shpëtuan nga humbja me barazimin 1-1, dhe Krymi i dha pikën në minutën e 71-të, ndërsa rrogozhinasit kishin shënuar që në 40’ me Ademin.

Duket se Vllaznia nuk ka qetësi, sepse pati shumë raste për gol, por realizoi vetëm një herë, e tani ka 4 barazime radhazi duke mos përfituar dot për t’iu afruar Tiranës. Kryeqytetasit kanë 34 pikë pa luajtur ende, ndërsa shkodranët 27 me një ndeshje më shumë. Vllaznia e trajnerit Brdariç ka harruar të fitojë, veçse duhet thënë se në minutën e 93-të u tradhëtua nga VAR-i. Një lojtar shkodran u tërhoq nga fanela në zonë, por gjyqtari nuk dha penallti dhe teknologjia nuk ndërhyri.

Sfidanti.al