Kurorë për Realin e Ançelotit, falë “pleqve” Modriç e Benzema, por Barça ka më shumë trofe!

Tashmë janë 93 trofe në historinë e ekipit më të fortë të botës në futboll, në të gjithë historinë. Reali i Madridit bëri të vetën Superkupën e Spanjës, luajtur në Lindjen e Mesme, me fitoren 2-0 ndaj Atletikut të Bilbaos. Për “merengesit” janë tani 12 superkupa, që do të thotë një më pak se rekordi i Barcelonës. Katalanasit kanë ende më shumë trofe në total sesa madrilenët, me 95 të tillë, ndonëse Reali ka më shumë tituj që vlejnë më tepër si 34 La Liga ndaj 26 të Barçës, dhe 13 Champions ndaj 5. “Një superekip kampion”, – titulloi “Marka”, ndonëse u detyrua të theksonte se “Kurtua është portieri më i mirë në botë”, pra pranoi se fitorja erdhi për meritë të madhe të belgut përballë furisë sulmuese të baskëve.

Loja ishte e fortë në Arabinë Saudite, edhe sepse madrilenët kaluan në epërsi që në pjesën e parë. Pavarësisht cilësisë më të madhe sesa Bilbao, ata nuk e mbajtën dot topin më shumë se 52 për qind, ndërsa në total Atletiku pati 11 gjuajtje drejt portës (3 në kuadrat) ndaj 7 të Realit (4). Modriç realizoi për 1-0 në minutën e 38-të dhe Benzema dyfishoi rezultatin në 52’ me penallti. Raul Garsia humbi mundësinë më të mirë për baskët në minutat e fundit (89’), një penallti që solli kartonin e kuq për madrilenin Eder Militao.

Sfidanti.al