Australianes i falet i kuqi edhe pse e kap për flokësh lojtaren rivale!

Ndonjëherë thuhet me tallje se femrat zihen pikërisht kështu, por nuk ishte një zënkë, veçse një ndeshje futbolli në Australi. Një episod që mund të ketë pasoja më vonë ndodhi në derbin e Sidnejt, mes Sidnej Uonderersit dhe FC Sidnejt. Në përballjen që u mbyll 0-0, tërhoqi vëmendjen ndërhyrja e gabuar e 19-vjeçares Sheridan Gallager (Uonderers) ndaj lojtares rivale, 20-vjeçares Tejlër Rej. Kjo e fundit pasi zotëroi topin bëri një veprim mashtrues duke e lënë në vend Gallagerin, por kjo reagoi me faull. Nuk ishte ndonjë kapje për trupi, për dore apo ndonjë prekje me këmbë, por një kapje për flokësh. Habia ishte e madhe që ajo mori vetëm karton të verdhë, ndërsa shumë komente në rrjetet sociale, por edhe nga analistë në studiot televizive ishin që Gallager meritonte të kuqen. Tashmë, paralajmërimi është që vajza 19-vjeçare mund ta pësojë më vonë efektin e dëmshëm të veprimit që bëri në derbi, pasi gjyqtarët do ta kenë mirë parasysh.

Sfidanti.al