Janë dy opinionistë të së përditshmes zvicerane “Blik” që komentojnë situatën e yllit të kombëtares helvete gjatë këtij sezoni. Kalimi i Xherdan Shaqirit tek Lioni në verë nuk doli “martesë e lumtur”, pasi shqiptari i Zvicrës ka shënuar vetëm 1 gol e ka dhënë 2 asistë në 13 ndeshje, duke mos arritur të fitojë konkurrencën për të qenë në formacion vazhdimisht, aq më pak për të qenë lojtari më i mirë, siç e kërkon rroga prej 360 000 eurosh në muaj. Dy analistët e “Blikut” janë një nga legjendat e dikurshme të Bazelit, Erni Maisen (dy herë kampion, 406 ndeshje, 142 gola), dhe ish-ylli i Gjermanisë, Bajernit e Liverpulit, Markus Babel, kampion i Europës me kombëtaren dhe klubet.
“Ai ka një rrogë të madhe tek Lioni dhe duhet t’i përgjigjet këtij niveli, – thotë Maisen, – ai kërkohet që të luajë si lider, por mendoj se nuk mund ta bëjë. Ai ka nevojë të luajë vazhdimisht, çdo disa ditë, por Lioni nuk ka as para dhe as kohë që ta presë. Shaqiri shpreson të shkojë në një skuadër mesatare në Bundesligë, por unë e këshilloj të vijë tek Bazeli”. Markus Babel thotë se Shaqiri nuk duhet të dorëzohet. “Ai duhet të marrë shembull nga Leroi Sane tek Bajerni, – tha Babeli, – edhe ai e pati të vështirë në fillim, por pastaj reagoi. Për momentin, Xherdani e ka të vështirë edhe nga ana fizike, edhe psikologjike, por duhet të luftojë”.
Sfidanti.al