Me shiritin e kapitenit apo jo, ai mbetet një lider. Askush nuk ka dyshime për Granit Xhakën, ndërsa këtë sezon për Arsenalin është kthyer të shkëlqejë si kurrë më parë, edhe pse krijoi polemika të forta. Në një moment, gjatë fitores 5-0, shqiptari i Zvicrës bëri një veprim turpërues për ekipin vendas, Noruiç, duke e ndaluar topin me shpinë për të vazhduar lojën. Kjo solli reagime të forta nga tifozët dhe mediat, që e cilësuan si injorim ndaj kundërsharit, dhe si një gjest tepër antisportiv. Momenti i Xhakës na kujton aksionin individual të lojtarit të Kosovës, Edon Zhegrova, në miqësoren fituar 3-0 ndaj Shqipërisë së trajnerit Panuçi, i cili gjithashtu krijoi polemika të forta.
Gjithsesi, për Xhakën ka edhe lavdërime. Ish-kapiteni i londinezëve, dhe kapiteni aktual i Zvicrës, fitoi zemrat e përkrahësve të “topçinjve” sepse ftoi një tifoz të Arsenalit të ardhur nga SHBA për ndeshjen e 1 janarit ndaj Mançester Sitit, duke ia paguar ai shpenzimet. Kjo pasi tifozi i quajtur Xhek Robinson u ankua në rrjetet sociale për anulimin e ndeshjes ndaj Uolvesit, për të cilën ai kishte prenotuar një biletë dhe udhëtimin nga përtej Atlantikut. Me një Xhakë me përvojë dhe në formë, dhe me shumë djem të rinj, Arsenali i trajnerit Mikel Arteta ka bërë kthesë të fuqishme këtë sezon duke pretenduar për të qenë në zonën Champions, pas një fillimi të dobët.
Sfidanti.al