BBC, Sauthemptoni e mediat në kor: Broja ishte sërish më i miri!

Deri ku mund të arrijë ky futbollist? Shqipëria padyshim është me fat që e ka Armando Brojën, edhe një herë vendimtar për Sauthemptonin në Premier Ligë.  Sulmuesi i kombëtares fitoi një penallti të rëndësishme në fitoren 3-2 në fushën e Uest Hemit. BBC e shpalli sulmuesin kuqezi si lojtarin më të mirë të ndeshjes në Londër, me notë 7.97, me votën e lexuesve, duke theksuar se ishte një kërcënim pafund për Uest Hemin. Edhe faqja zyrtare e Sauthemptonit e nxorri Brojën si lojtarin më të mirë të ndeshjes, me komentin “po bëhet gjithnjë e më i mirë”. Media e qytetit, “Hempshajër Lajv”, i dha Brojës notën tepër të lartë 8.5, duke e vlerësuar si lojtarin më të mirë në fushë. Vlerësimet e tjera për shqiptarin ishin 6, 6.5 apo 7, duke theksuar përkushtimin e tij, presionin ndaj mbrojtësve kundërshtarë, vrapimet pa fund, dhe rrezikshmërinë.

“Armando është i shpejtë, është shumë i shpejtë, – tha trajneri Hazenhytl, – penalltia ishte moment vendimtar dhe ishte faull i qartë, kundërshtari pati probleme gjatë gjithë pjesës së parë me të. Ai është shumë i rëndësishëm për ne, po bëhet gjithnjë e më i mirë. i pëlqen të luajë me ne, ndihet mirë dhe dëshiron të mësojë”. Broja ishte rekordmen i javës me 5 driblime të realizuara nga 6 të provuara, me 4 faulla të fituar, me 1 penallti të fituar, me 3 kartona të verdhë të dhënë për faulla ndaj tij dhe me 9 duele të fituar me topin në tokë. Ai vazhdon formën e shkëlqyer të këtij sezoni ku ka shënuar 4 gola në Premier Ligë dhe 6 gola gjithsej, duke qenë më i mirë për Sauthemptonin dhe një nga më të mirët në Angli.

Sfidanti.al