Është një gazetar i njohur italian që e thotë, Xhanluka Marcio, dhe që parashikon se ku pritet të luajë në të ardhmen sulmuesi i Borusias së Dortmundit. Erling Halandi duket se do t’i lerë “me gisht në gojë” klubet e Premier Ligës angleze, sepse nuk pëlqeka stilin e lojës në ishull. Edhe pse është nga Veriu i Europës, skandinav nga Norvegjia, sërish Halandi pëlqeka futbollin teknik dhe më të butë e elegant të Spanjë, në krahasim me atë ritmik dhe të ashpër anglez.
“Ai nuk e pëlqen shumë Premier Ligën, – thotë gazetari i “Skaj Italias”, – nuk është saktësisht ëndrra e tij, nuk është për momentin liga e përsosur për të. Ai parapëlqen La Ligën, e pëlqen shumë dhe mendon se kampionati spanjoll është ambient i duhur për të. Nëse jo në Spanjë, do të vazhdojë në Bundesligë ku aktualisht po luan”. Kjo do të thotë se favoritë për ta marrë Halandin 21-vjeçar janë Reali i Madridit, Barcelona dhe Bajerni i Mynihut, por jo Mançester Siti, Mançester Junajtidi, Çelsi apo Liverpuli.
Sfidanti.al