Tirana fiton derbin, është skuadra numër 1 e qytetit dhe e kampionatit!

E meritoi atë që bëri, edhe pse goli erdhi vetëm në minutën e 10-të shtesë. Tirana konfirmoi sërish se është skuadra numër 1 i Superligës dhe e kryeqytetit me suksesin 2-1 ndaj Partizanit në “Arenën Air Albania”, ndërsa për të kuqtë, “shiu” i deritanishëm është kthyer në “breshër”. Përgjoni e Xhixha ishin autorët e golave për fituesit, ndërsa Stenjo Zhunior shënoi me penallti për ekipin e trajnerit Ilir Daja, i cili duket se po bën gati “valixhet”, ndërsa u shpreh pas ndeshjes se “do të bisedoj me drejtuesit për të ardhmen, në situata të tilla përgjegjësinë kryesore e merr trajneri”.

Nga ana tjetër Orges Shehi është trajneri i suksesit tek Tirana. Edhe pse nga ana financiare bardheblutë nuk po shkëlqejnë (më shumë kanë marrë shpërblime për fitoret sesa rrogat), sërish ekipi po luan mirë. Ja pra, mjaftojnë disa goditje të sakta në “treg”, mjafton që trajneri të jetë i qetë dhe i thjeshtë, si dhe mjafton të ndodhë diçka që largon stresin, siç ishte largimi i djalit të presidentit nga ekipi për t’u bërë drejtues. Të tjerat Tirana i ka vetë, pasi ka fanelën dhe përvojën. Me Bekajn në portë, me Ismajlgecin e Hoxhallarin, ndër mbrojtësit më të mirë të kampionatit, me mesfushorë si Limaj apo Totre dhe me treshen e fuqishme të sulmit Sefer-Xhixha-Ngo, Tirana është më e forta. Të shohim nëse do të ketë “magji” rrugës për ta penguar që të dalë kampion.

Sfidanti.al