Çfarë ndodh kur një vend i madh është në krizë politike dhe ekonomike, e quan veten demokraci, ka trysni shkatërruese nga jashtë e nga brenda, ku policia është prej një muaji në grevë, dhe ku pretendohet të luhet futboll? Përgjigjen e marrim në vendin e quajtur Brazil, “Amerika e futbollit” dhe shteti që organizoi Kupën e Botës në 2014. Një njeri humbi jetën dhe 7 të tjerë u plagosën në përleshjet që ndodhën përpara derbit mes Botafogos e Flamengos në Rio de Zhaneiro.
Turmat e njerëzve të mjerë, të indoktrituar ta shohin të keqen e jetës së tyre tek tifozi kundërshtar, vazhduan vallen e tmerrshme dhe të dhimbshme të injorancës, një “derë” apo “dritare” ku njerëz djallëzorë me pushtet i kanalizojnë për të shfryrë stresin dhe për t’u ndjerë më të qetë.
Përleshjet nisën disa orë përpara derbit, dhe u shoqëruan me të shtëna në afërsi të stadiumit “Enzhenjao”, ndërsa nga spitali “Salgado Filjo” u njoftua për një mashkull 28-vjeçar të vrarë dhe për 7 njerëz të lënduar. Tre prej tifozëve janë në terapi intensive, ndërsa katër të tjerët dolën nga spitali pasi morën mjekimin. Fatkeqësisht, prefektura e qytetit dha leje që ndeshja të zhvillohej edhe pse policia nuk kishte forca të mjaftueshme për të siguruar qetësinë dhe rregullin.
Sfidanti.al