Gonzalo Higuain është përshtatur më shpejt sesa pritej tek Juventusi. Sulmuesi argjentinas po shënon gol pas goli dhe është vërtet një shpresë e madhe e tifozëve se edhe në Ligën e Kampionëve mund të arrihet një triumf që nuk është parë prej 21 vjetësh. Higuain e tregoi formën e tij të shkëlqyer edhe në fushën e Kaljarit, duke shënuar dy herë në fitoren gjithashtu me dy gola (2-0), që iu përgjigj sukseseve të Napolit dhe Romës.
Kampionët ruajtën 7 pikë epërsi ndaj kryeqytetasve (60 pikë ndaj 53), ndërsa e mbajtën me shifrën “0” kolonën e barazimeve. Skuadra e Alegrit nuk ka kompromis, ka pranuar 4 humbje pra më shumë se Napoli, por ka arritur 20 fitore, më shumë se kushdo në Serinë A. “Objektivi ynë është të arrijmë në 87 pikë, – tha trajneri pas ndeshjes, – ne nuk jemi spektakolarë, por konkretë”.
“El Pipita” Higuain është arsyeja kryesore e konkretësisë. Argjentinasi ka shënuar 18 gola në Serinë A këtë sezon, baraz me Xhekon në krye të renditjes së “bomberëve”, ndërsa në 56 ndeshjet e fundit në kampionat (edhe kur ishte tek Napoli) ka realizuar 54 gola, me një mesatare prej Kristiano Ronaldoje. Vetë Alegri ka një “dorë”, pasi me skemën e tij 4-2-3-1, Juventusi nuk ka pësuar asnjë gol në kampionat.