Garet Bejl ka qenë pa dyshim lojtari që më së shumti i ka munguar Realit në këtë fillim të vështirë të vitit 2017. Eleminuar nga kupa dhe jo plotësisht e sigurt në kampionat, skuadra e Madridit po ndjen moshën e yjeve si Ronaldo apo Benzema, si dhe dëmtimet që nuk po i ndahen. Më së fundmi, po kthehet blerja më e shtrenjtë e klubit, lojtari uellsian i krahut që di të depërtojë nëpër mbrojtjet kundërshtare falë shpejtësisë dhe klasit të tij.
Ai nisi stërvitjen me ngarkesë të plotë me shokët e tij, ndonëse do të duhet ende kohë që ai të aktivizohet. Zidan shpreson që Bejl të jetë gati për ndeshjen e dytë të Ligës së Kampionëve ndaj Napolit në Itali, që do të luhet në 7 mars. Kjo do të thotë se, uellsianit do t’i duhen edhe tri javë për ta marrë veten, përveç tre muajve që ka munguar deri tani për shkak të operacionit në kavilje.