Interi i parakalon të gjithë, zikaltërit e Inzagit lëshohen drejt titullit!

Janë ngjyrat e momentit në Serinë A, dhe nuk po ka më asnjë rëndësi se cili i vesh. Vjet ishin Antonio Konte, Romelu Lukaku dhe Ashraf Hakimi, ndërsa këtë sezon me fanelën e Interit luftojnë trajneri Simone Inzagi, Edin Xheko, Damfris, Korrea e si gjithmonë Lautaro Martinez. Fitorja 4-0 ndaj Kaljarit në “San Siro” bëri që zikaltërit të ngjiteshin për herë të parë në krye të kampionatit, duke i dhënë të drejtë parashikuesve që thonë se ata janë favoritë për të mbrojtur titullin. Lautaro Martinez, Aleksis Sançez, Hakan Çalhanoglu dhe sërish Lautaro Martinez ishin autorët e golave, madje sulmuesi argjentinas pati luksin të humbiste një penallti në fund të pjesës së parë.

Interi dominoi plotësisht duke mbajtur topin 75 për qind (!!!), me 21 gjuajtje ndaj 3, dhe me 14 gjuajtje në portë ndaj vetëm dy të kaljaritanëve. Kornet ishin madje 9-0! Duket se kjo skuadër nuk do të ketë rival në Itali, ndërsa në Champions vërtet u mund dy herë nga Reali i Madridit, por duket luajtur që të dyja ndeshjet më mirë sesa spanjollët. Interi ka 40 pikë, vërtet vetëm 1 më shumë sesa Milani, por duke rikuperuar një sasi të madhe pikësh javët e fundit. Zikaltërit luajnë futbollin më të bukur në Itali dhe kanë golaverazhin më të mirë, +28. Interistët kanë shënuar më shumë se të gjithë, 43 gola ndaj 36 të Milanit, dhe kanë pësuar më pak se të gjithë (15) me përjashtim të Napolit (13).

Sfidanti.al