Për të 7-ën herë trofeun e shkëlqyer e fiton ai, futbollisti më i mirë i epokës sonë, dhe një nga më të mirët e historisë, në garë me Maradonën apo Pelenë për titullin e “mbretit”. Lionel Mesi është Topi i Artë i “Frans Futbollit” për vitin 2021, titulli që ishte paralajmëruar se do ta merrte, por që thuhej se do të ishte në konkurrencë të jashtëzakonshme me Robert Levandovskin. Në fund, në ceremoninë në Teatrin luksoz të Parisit fitoi argjentinasi, i cili pikërisht këtë sezon ka kaluar në kryeqytetin e Francës.
“Pleshti” fitoi Kupën e Amerikës me Argjentinën, si dhe Kupën e Mbretit me Barcelonën, duke fituar Këpucën e Artë në Spanjë, por Levandovski fitoi Këpucën e Artë të Europës dhe të Gjermanisë duke thyer rekordin e golave të Gerd Mylerit, si dhe fitoi Bundesligën. Polaku pati një vit yjor 2020 duke fituar 6 trofe me ekipin (përfshi Championsin, Bundesligën e Kupën e Botës për klubet), dhe Këpucën e Artë në Gjermani, dhe mendohej se duhej ta fitonte Topin për faktin se ceremonia u anulua në 2020.
Nuk ndodhi kështu, dhe duket se qendrojnë në këmbë akuzat e bëra nga mediat italiane për anashkalimin e Zhorzhinjos. “Duhej të kishte shkuar tek Paris SG”, – shkruajtën ato. Edhe për Levandovskin duhet të themi se “do ta kishte fituar Topin e Artë nëse do të kishte shkuar tek Paris SG”. Me gjasë, “Frans Futbolli” francez nuk mund ta lejonte t’i shkonte kot një rast i tillë, që të fitonte një legjendë e PSG-së.
Sfidanti.al