Juves i duhet Championsi për të shpëtuar bilancin dhe … Kiezën!

Nëse Dortmundi e ka të pamundur të mbajë Erling Halandin edhe nëse shkon në Champions, “Zonja e Vjetër” të paktën mund ta bëjë këtë me Kiezën. Gjithsesi, që kampioni i Europës të vazhdojë me Juventusin do të duhet patjetër futbolli i Ligës së Kampionëve. Championsi është arena e gjithë yjeve dhe Federiko Kieza nuk bën përjashtim. Drejtuesit torinezë e dinë se për sulmuesin “këndojnë sirena” nga Premier Liga, dhe se klube si Çelsi, Totenhemi apo Mançester Junajtidi e duan. Po ashtu, pëlqehet nga Paris SG, Reali e Barcelona.

Për ta mbajtur Kiezën duhet kualifikimi për në Champions sezonin e ardhshëm, pra që Juventusi të hyjë në katërshe. Për momentin, distanca me vendin e katërt (Atalantën) është 7 pikë dhe nuk do të jetë aspak e lehtë të mbërrihen bergamaskët, ashtu si edhe Napoli, Milani e Interi. Po ashtu, Championsi duhet për rreth 80 milionë euro të ardhura që i sjell buxhetit dhe që do të jenë të domosdoshme për të rregulluar bilancin financiar e për të pasur një ekip pretendent.

Sfidanti.al