Ishte sërish titullar në kampionatin më të fortë të botës. Armando Broja po ashtu ishte lojtari më i dalluar i Sauthemptonit në ndeshjen në “Anfildin” legjendar ndaj Liverpulit, edhe pse skuadra e tij u mund 0-4. Gjithsesi, përtej besimit të fituar të trajnerit në klub, Hazenhytl, sulmuesi shqiptar nuk është plotësisht i lumtur. Burime pranë 20-vjeçarit pohojnë se ai nuk ndihet i sigurt sesi do të jetë trajtimi i tij në kombëtare kur të nisin ndeshjet në Ligën e Kombeve. Sipas këtyre burimeve, Broja mendon se ka një qendrim me tendencë ndaj tij nga ana e trajnerit Reja, duke e lënë në tribunë ndaj Polonisë dhe ndaj Anglisë, në eleminatoret e Botërorit.
Dyshimi është se futbollisti ka refuzuar në verë një kalim në Itali tek Udineze, sipas sugjerimit që thuhet se i është bërë nga italiani. Burimet e mësipërme theksojnë se Broja ishte 100 për qind gati ndaj Anglisë dhe kishte shumë dëshirë të luante qoftë edhe pak minuta në vendin ku jeton dhe aktivizohet. Sipas informacionit që di Abc-ja, 20-vjeçari pati lejen e stafit mjekësor jo vetëm të Sauthemptonit, por edhe të Çelsit për të luajtur, veçse Reja deklaroi se ai nuk mund ta aktivizonte përpara atyre që ishin stërvitur gjithë javën.
Pakënaqësia, sipas këtyre burimeve, është e madhe tek Broja dhe tek familja e tij, që habiten sesi një lojtar që luan në Premier Ligë lihet jashtë ekipit të Shqipërisë. Siç e theksoi pak ditë më parë specialisti i futbollit, Artur Çobani, kombëtarja rrezikon që të humbasë lojtarë si Broja apo Balliu. Armando Broja ka shënuar 3 gola për kombëtaren, dy prej të cilëve vendimtarë për dy fitoret më të rëndësishme të eleminatoreve, atyre ndaj Hungarisë. Me Sauthemptonin këtë sezon ka shënuar dy gola dhe ka fituar vendin e titullarit.
Sfidanti.al