U përballën sërish me Detroitin, por ishte një mbrëmje e lehtë në Los Anxhelos. Herën e fundit pati përleshje mes lojtarëve të Lejkërsave dhe Pistonsave, me protagonistë kryesorë Lebron Xhejmsin dhe Ajzajah Stjuart, të cilët u përjashtuan dhe u dënuan. Këtë herë nuk ndodhi asgjë e tillë, ndonëse publiku vendas në “Stejpëll Sentër” e vuri në lojë Stjuartin gjatë gjithë kohës, por kjo nuk ndikoi. Lejkërsat fituan 110-106, duke krijuar një epërsi të madhe, por duke gabuar në mbrojtje e duke rrezikuar fitoren. Lebron Xhejmsi shënoi 33 pikë, kapi 5 topa në tabela e shërbeu 9 asistë, duke zhvilluar një ndeshje shumë të mirë, ndonëse u tha se ai e ndjeu sërish dëmtimin në bark që e pengoi për disa ndeshje. Lejkërsat tani kanë 11 fitore e 11 humbje në vend të 8-të në Konferencën Perëndimore.
Sfidanti.al