Çfarë katastrofe do të ishte një Botëror pa Kristiano Ronaldon!

Nuk është ende i eleminuar dhe mundësitë i ka për të mbërritur në Katar, por CR7 është në pozicion shumë të rrezikshëm. Humbja me Serbinë në Lisbonë tregoi se Portugalia e tij është e thyeshme dhe se mund të mbetet jashtë Kupës së Botës. Sipas atyre që janë pranë legjendës portugeze, ai ka mbetur i shkatërruar, i dërrmuar nga humbja, siç e tregoi edhe me sjelljen në përfundim kur i bërtiti trajnerit Fernando Santos. Kristiano nuk e mendon se ai mund të mos jetë në Botëror, dhe Botërori “nuk e imagjinon” të luhet pa të! Do të ishte Kupa e pestë e Botës e Ronaldos në karrierë, dhe ëndrra mbetet për ta fituar, në garë me legjendën tjetër, Lionel Mesi, që gjithashtu nuk e ka fituar ende me Argjentinën. Nga ana tjetër, humbjet financiare të turneut do të ishin të mëdha pa superyllin portugez, që është futbollisti dhe sportisti më i ndjekur në rrjetet sociale, më popullori për të gjitha kohët.

Sfidanti.al