Kroatë e serbë, drejt Botërorit me këngë për Kosovën e Vukovarin!

Kur arbitri sinjalizoi fundin në stadiumin e Splitit, shpërtheu festa. Kroacia u kualifikua sërish në finalet e Kupës së Botës, dhe publiku, lojtarët e trajneri Daliç u ndodhën në qiellin e shtatë. Mediat kroate me të drejtë e vlerësuan ekipin e tyre kombëtar si “çudi botërore e futbollit”, pasi një vend kaq i vogël, me 4-5 milionë banorë është kualifikuar në 12 nga 14 turnetë e mëdhenj, si europianë e botërorë, që kur u shpall i pavarur dhe hyri në FIFA e UEFA. Jo më kot, Kroacia është nënkampione e botës në fuqi. Gjithsesi, kur themi Ballkan, nuk mund të mos kemi konfliktet ndëretnike, dhe tifozët kroatë në Split apo qytete të tjera shpërthyen në këngë nacionaliste për Vukovarin të drejtuara kundër serbëve.

Gjithsesi, edhe këta të fundit nuk mbetën prapa. Tifozët në Beograd nuk rreshtën së thirruri “Kosova është Serbi”, ndërsa festuan në Tregun e Republikës. Këtyre thirrjeve iu bashkuan edhe tifozët serbë në Banja Lukë, kryeqyteti i Republikës Srpska në Bosnjë-Hercegovinë. Gjithsesi, kremtimi ishte i ligjshëm, pavarësisht retorikës dhe këngëve. Serbia iu bashkua Kroacisë si vendi tjetër ballkanas në Kupën e Botës në Katar. Një gol i sulmuesit Mitroviç e kualifikoi me fitoren e madhe 2-1 në Portugali. Pas ndeshjes, pati festë të madhe me tifozët pranë tribunave, ndërsa ishin përgatitur edhe fanelat speciale me hartën e Serbisë, që sipas linjës zyrtare përfshin edhe Kosovën, dhe me mbishkrimin “festo kombi serb”. Harbimi në dhomat e zhveshjes ishte i plotë, aq sa trajneri Stojkoviç, ish-yll i futbollit serb e jugosllav, i ngacmoi me shaka lojtarët e tij, duke iu thënë “çfarë po bëni, a jeni normalë”.

Sfidanti.al