Tenisi tronditet nga akuzat e sportistes kineze për dhunë seksuale

Vendi i saj është ende mjaft maskilist për femrat që të jenë një zë i fortë dhe të kërkojnë siç duhet të drejtat e tyre. E tillë Kina, edhe pse sot është një nga superfuqitë e botës. Tenistja Pen Shuai akuzoi ish-zv. kryeministrin e vendit, Çan Kaoli se e kishte detyruar të bënte seks disa vjet më parë, dhe këtë e bëri nëpërmjet një mesazhi në rrjetin social kinez, Ueibo. Mesazhi u fshi për 30 minuta nga autoritetet, por bëri bujë, dhe Organizata Botërore e Tenisit të femrave bëri një deklaratë këtë të diel duke shprehur shqetësimin për 35-vjeçaren, që fitoi titullin në Uimbëlldon në çifte në 2013. Autoritetet ndërkombëtare të tenisit morën informacion nga Kina se Pen është mirë dhe se nuk ka asnjë rrezik fizik apo psikologjik për të, ndonëse pas akuzës që bëri ajo është “zhdukur” nga mediat sociale. Vetë i akuzuari, ish-zv. kryeministri, nuk ka dhënë asnjë përgjigje dhe nuk dihet nëse në Kinë do të ketë një proces gjyqësor për të provuar fajin e tij.

Sfidanti.al