Përfunduan një palë eleminatore të Botërorit që do të mbahen mend për mjaft gjëra të mira, por edhe për disa të këqija. Shqipëria e mbylli me një fitore të vuajtur, edhe pse të merituar 1-0 ndaj Andorrës në “Arenën Air Albania”, me golin e shënuar me penallti nga Endri Çekiçi në 73’. Ekipi i trajnerit Reja ishte me ndryshime të shumta në krahasim me “Uemblin”, por edhe me ndeshjet e tjera, dhe vetëm Hysaj e Uzuni ishin lojtarë të zakonshëm formacioni, ndërsa mund të konsiderohen zgjedhje të rëndësishme edhe Strakosha apo Laçi, e më pak Çekiçi.
Kombëtarja pati epërsi dhe krijoi mjaft raste, goditi edhe shtyllën dhe shpërdoroi të paktën 2 gola të sigurt, ndërsa Andorra përfitoi nga ndonjë gabim i yni për të rrezikuar ndonjëherë. Fitorja jonë, kombinuar me fitoren e Hungarisë në Poloni (2-1), bënë që pas Anglisë, ekipet e tjerë të ishin afër njëri-tjetrit, Polonia me 20 pikë, Shqipëria me 18 dhe Hungaria me 17. Për herë të parë fitojmë 18 pikë, ndonëse 12 ishin me Andorrën e San Marinon (6 me Hungarinë), dhe jemi në vend të tretë. Shpresohet që të jenë hedhur bazat për të synuar kualifikimin për në finalet e Europianit në 2024.
Shqipëria: Strakosha, Hysaj, Mihaj, Dermaku, Hoxhallari (Lenjani 90’), Roshi, Ramadani (Bajrami 56’), Laçi, Çekiçi, Uzuni, Seferi (Muçi 56’). Tr. Reja