Në verë arriti kulmin e formës dhe për fat ishte edhe periudha e kulmit të rezultateve. Italia doli me meritë kampione e Europës në “Uembli”, por tashmë duket se për të ka ardhur “vjeshta”. Të Kaltrit vërtet mund të thuhet se “mbetën në vjeshtë”, edhe pse realisht kanë mbetur për pranverë. Plej ofi, ku do të jenë të detyruar të luajnë, luhet në mars të vitit të ardhshëm. Tifozët italianë nuk deshën ta besonin, por ekipi i tyre i lodhur me me mungesa nuk pati potencialin e qershor-korrikut duke u ndalur bindshëm nga Irlanda e Veriut në Belfast. Një ekip që dikur eleminonte vetë Italinë dhe mundte dy herë Gjermaninë Perëndimore të Rumeniges, është në formë në stadiumin “Uindsor” ku nuk ka pësuar gola në 4 ndeshje eleminatore të Botërorit. Ky barazim 0-0 i djemve të Mançinit, bëri që ata të mbeteshin në vend të dytë në grup pas Zvicrës që shkatërroi 4-0 Bullgarinë në Lucernë. Okafor, Vargas, Iten dhe Frojler shënuan në pjesën e dytë dhe helvetët shkuan direkt në Katar.
Sfidanti.al