Edi Reja falenderon Shqipërinë që debuton në “Uembli” në moshën 76 vjeç!

Është edhe çështje fati, por edhe pasioni dhe pune këmbëngulëse. Edi Reja, në një intervistë për “La Gazeta delo Sportin”, tregon se dëshironte ta mbyllte si trajner që në vitin 2003, dhe do të kishte mbetur jo edhe aq i njohur në Itali, lere më në Europë, por ndodhi e kundërta. Kaljari e ktheu në profesion dhe pastaj erdhën gjërat e mira si Napoli, Lacio, Hajduk i Splitit, Atalanta dhe tani Shqipëria. Me kombëtaren kuqezi debuton në “Uembli” në moshën 76-vjeçare. Nuk ka qenë atje si lojtar, as si trajnerë përpara kësaj mbrëmjeje. Kujton vetëm një ndeshje të Italisë U23 në Notingem, kur adhuronte kulturën dhe liritë individuale britanike, po ashtu Bitëllsat në muzikë dhe Xhorxh Bestin në fushë. Gazetari italian, Stefano Boldrini, e ngacmon duke thënë se pas Mançinit dhe Marko Rosit (Hungaria) mund të bëhet italiani i tretë që ta zerë “shah-mat” Garet Sauthgejtin. Reja e ndërpret menjëherë intervistën duke thënë: “Koha mbaroi, ju përshëndes”!

Sfidanti.al