Xherrardi kthehet në Premier Ligë tek Aston Vila, ëndrra mbetet Liverpuli!

Një emër i madh kthehet në Premier Ligë. Stiven Xherrard është caktuar trajneri i ri i Aston Vilës, duke u larguar kështu nga Gllazgou Rejnxhërsi në Skoci. Klubi anglez vendosi t’i paguante skocezëve 2.5 milionë paundë stërlina për ta lënë të lirë Xherrardin, i cili mbyll një cikël në Gllazgou duke fituar titullin kampion. Xherrardi është një nga personalitetet më të shquar të futbollit anglez dhe atij europian në shekullin e 21-të, duke qenë dominues në mesfushën e Liverpulit e duke fituar Championsin në 2005, pas finales së jashtëzakonshme ndaj Milanit në Stamboll. Si trajner, po ashtu ai cilësohet i suksesshëm duke rikthyer Rejnxhërsin tek titulli në Skoci pas 10 vitesh pritjeje, e duke i dhënë fund dominimit të Sëlltikut për një dekadë me radhë.

Aston Vila vendosi të emëronte 41-vjeçarin, pasi shkarkoi ish-trajnerin Din Smith, ndërsa skuadra ka pësuar 5 humbje radhazi në Premier Ligë, të fundit në fushën e Sauthemptonit. Aston Vila është një nga emrat më të vjetër në Angli, dhe që ka fituar tituj madje edhe Championsin në 1982, por Xherrardi nuk pritet ta ketë të lehtë, me ekipin në vendin e 16-të në kampionat. Gjithsesi, ish-ylli i Anglisë realizon qëllimin e tij të parë, rikthimin në Premier Ligë, ndërsa objektivi i tij kryesor është të bëhet trajner i Liverpulit, ku shkëlqeu si pak të tjerë ndonëse nuk arriti të fitonte asnjë titull kampion, ndërsa në 11 dhjetor do të jetë përballë ish-ekipit të tij në “Anfild”.

Sfidanti.al