Napoli nderon Maradonën dhe pret … Lorenco Insinjen

Do të zbresin sot në fushë me një fanelë të veçantë, ndërsa mbushet një vit që nga shuarja e yllit me gjasë më të madh që ka parë futbolli. Napoli do të luajë ndaj Veronës sot në orën 18:00 në stadiumin që mban emrin “Maradona”, për të respektuar kujtimin e ish-kapitenit dhe të legjendës që e udhëhoqi në 2 titujt e vetëm kampion në Itali në historinë e klubit, dhe në kupën e vetme të Europës (UEFA). Do të jetë një bluzë me fytyrën e Diegos dhe me kompozim të veçantë në shenjë respekti për njeriun që u kthye në një Perëndi për qytetin e Italisë së Jugut. Të besuarit e trajnerit Luçiano Spaleti po përpiqen që ta nderojnë edhe duke fituar titullin e parë që nga epoka e Maradonës, diçka që e patën pranë në kohën e Mauricio Sarrit pak vjet më parë, por nuk e arritën. Ndërkaq, presidenti Aurelio De Laurentis, ka folur edhe për kontratën e re të Lorenco Insinjes. Kapitenit i përfundon akordi në qershor dhe ende nuk ka të reja, ndërsa De Laurentisi thotë se “unë jam duke e pritur, gjithçka është në dorë të Lorencos”.

Sfidanti.al