Klubin e Mynihut duhet ta hiqni nga lista, sepse në Gjermani nuk mund të ndodhin këto gjëra. Këtë e thotë agjenti i Toni Krosit, Folker Strut (Volker Struth), i cili padyshim e njeh mirë sesi funksionon transferimi i futbollistëve. Flasim për Erling Halandin, që sipas Strutit, do të kushtojë si transferim nga 250 deri në 300 milionë euro. Këtu përfshihet klauzola e transferimit prej 75 milionë eurosh, rroga e tij për 5 vjet dhe shpërblimi për agjentin Mino Raiola. Kjo do të thotë se Halandi do të ketë një rrogë shumë të madhe, edhe pse Raiola gjithashtu do të kërkojë një komision të madh për veten. Në garë mund të jenë Reali i Madridit, Çelsi, Mançester Siti, Paris SG apo Mançester Junajtidi, ku i dihet ndoshta edhe Liverpuli, por jo Bajerni. “Në Gjermani do të plaste skandali, do të bëhej ferr, nëse një lojtar do të fitonte, të themi, 50 milionë euro në sezon”, – thotë Folker Struti.
Sfidanti.al