Arrigo Saki thotë se Liverpuli i Klopit është skuadra e përsosur!

Ai vetë e krijoi një ekip të tillë me Milanin e viteve 80-të e deri në 1991. Arrigo Saki është një magjistar i futbollit, një trajner i madh, një takticien dhe një revolucionar, ndërsa sot është në rolin e opinionistit, ku dallohet për nivelin e tij tepër të lartë. Në një bisedë me ish-kapitenin e Liverpulit, Xhemi Karrager, Saki thotë për të përditshmen britanike “Telegraf” se këtë sezon, skuadra e përsosur është Liverpuli i trajnerit Jurgen Klop. “Ata janë një ekip i madh pa një superyll të vërtetë, – u shpreh italiani, – një skuadër fantastike, një ekip i vërtetë. Ju shikoni se aty të gjithë luajnë për njëri-tjetrin (një për 11), ndërsa ekipet e tjera janë 11 vetë që luajnë për vete. Në 80 për qind të kohës ata janë në lëvizje kur kanë topin. Nëse ata do të ishin një orkestër, ata do të ishin gjithnjë në harmoni të plotë, me ritmin e duhur në kohën e duhur”. Njeriu që fitoi 2 Champions me Milanin në 1989 e 1990, thotë se merita është e Klopit, që bashkë me Guardiolën kanë ndryshuar filozofinë e futbollit.

Sfidanti.al