A po e vuan Mesi largimin nga shtëpia e tij, Barcelonë?!

Zhibril Sise, ish-shoku i Lorik Canës tek Olimpiku i Marsejës, thotë se superylli argjentinas nuk ka një problem futbolli, por një problem familjar dhe të përshtatjes në Paris. Lionel Mesi la Barcelonën ku jetoi 21 vjet, ku krijoi familjen dhe që e kishte shtëpinë e tij, ndërsa po ndjen vështirësi që të ndihet si më parë, edhe pse kryeqyteti i Francës të ofron gjithçka. Është e vështirë të largohesh nga shtëpia që e ke pasur për dekada, ku nga fëmijë je bërë burrë, dhe ku ke jetuar me gruan e fëmijët për kaq shumë vjet, po ashtu me të njëjtit fqinjë, me të njëjtit tifozë që të adhuronin, dhe në të njëjtin stadium si “Kamp Nou”. Mesi nuk po arrin ende të japë tek Paris SG atë që jepte tek Barcelona, duke mos pasur asnjë gol dhe asnjë asist në ligën franceze deri tani, diçka që sipas të përditshmes “L’Ekip” ka krijuar presion dhe zhgënjim. “Më në fund, nisja e duhur”, pyet gazeta me foton e Mesit me gjurin në tokë në fushën e “Parkut të Princave”.

Sfidanti.al