Man. Junajtidi ka frikë të caktojë një trajner siç ishte Fergusoni

Është problem i madh kur drejtuesit e klubit pëlqejnë të jenë të fuqishëm dhe të kontrollojnë edhe ato gjëra që nuk duhet të jenë fushë e tyre. Duket se pronarët amerikanë të Mançester Junajtidit, dhe shefat e ekzekutivit po kënaqen në krye të një klubi kaq të madh, edhe pse kjo do të thotë që trajneri të ketë më pak pushtet dhe natyrshëm, rezultatet të mos jenë ato që duhet. Mediat britanike kanë shkruar për këtë temë dhe analisti Martin Samuel në “Deili Meil” thotë se Junajtidi ka frikë sot të caktojë një trajner me pushtetin që ka pasur dikur Sër Aleks Fergusoni. Njeriu i duhur ekzston dhe është i identifikuar si Antonio Konte. Italiani i futbollit pragmatist ndoshta nuk është zgjedhja më e mirë estetike për një ekip që ka luajtur gjithnjë në sulm, por Mançester Junajtidi ka nevojë për të fituar, në mënyrë që t’i kthehet besimi. Konte vjen në “Old Traford”, por me kusht që të ketë pushtet të pakufishëm për çështjet teknike, ashtu siç e pati Fergi, por Samuel shkruan se drejtuesit e kanë frikë një gjë të tillë. Në fund të fundit (themi ne), tek Junajtidi duhet të bëjnë si tek Reali që caktuan dy herë trajner Fabio Kapelon, i cili i dha titullin në La Liga edhe pse nuk luajti bukur, dhe pastaj e shkarkuan.

Sfidanti.al