Kombëtarja? Për Brojën, goli më i bukur është në Premier

Ia dedikoi me shpejtësi familjes, njerëzve që emigruan në Britaninë e Madhe dhe e lindën aty, dhe që e ndihmuan derisa u ngrit mbi këmbët e veta për t’u bërë një futbollist i dalluar profesionit. Nuk dihet nëse limiti për Armando Brojën do të jetë qielli, por padyshim që limitin e parë, Premier Ligën angleze, e mbërriti. Pasi shënoi rrjetën e parë në kampionat, për Sauthemptonin ndaj Lids Junajtidit në stadiumin e “Shën Mërisë”, sulmuesi 20-vjeçar shqiptar u pyet se cili ishte goli më i rëndësishëm që kishte shënuar në karrierë. Deri tani nuk janë aq shumë, nja 10-15 në Holandë, fare pak në miqësore me Çelsin, në Kupë për Sauthemptonin dhe 3 rrjeta në 10 ndeshje për kombëtaren shqiptare. Për Brojën nuk ka dyshime. “Goli në Premier Ligë renditet mbi gjithë të tjerët, – tha ai, ndonëse ishte një gol shumë më i thjeshtë sesa ata që shënoi për Shqipërinë ndaj Hungarisë në Elbasan dhe Budapest, – ishte një gol i mrekullueshëm. Unë kisha ëndërruar gjithë jetën të shënoja golin e parë në ndeshjen e parë si titullar dhe ia dola”.

Sfidanti.al