Napoli është një mrekulli edhe kur nuk bën spektakël: 8 nga 8!

Janë fitoret radhazi me të cilat barazohet rekordi i skuadrës së Mauricio Sarrit disa vjet më parë. Sot është Napoli i Luçiano Spaletit, një trajneri me përvojë të madhe, që po vazhdon marshimin në krye të Serisë A, ndonëse fitorja ishte e vogël, vetëm 1-0 ndaj Torinos. Të kuptohemi, napolitanët e merituan, pasi patën më shumë raste, humbën penallti e goditën shtyllën, si dhe iu anulua një gol për pozicion jashtë loje. Nga ana tjetër, edhe Torino e trajnerit Juriç luftoi fort dhe pati rastet e veta. Viktor Osimhen shënoi golin e vetëm në 81’, pra pranë fundit duke realizuar me një kërcim të jashtëzakonshëm e duke u konfimuar një “forcë e natyrës” në stadiumin “Maradona”. Për vendasit, titullar ndaj Torinos ishte edhe mbrojtësi i Kosovës, Amir Rrahmani, ndërsa ekipi jugor ka 8 fitore në 8 ndeshje, pra 24 pikë, 2 më shumë se Milani e 7 mbi Interin. Një sezon i shkëlqyer deri tani, ndërsa Spaleti thotë se “ne fitojmë sepse secili lojtar bën detyrën e tij, merr përgjegjësinë e tij”.

Sfidanti.al