Ansu refuzon klauzolën 1 miliardë euro, por i jep fitores Barcelonës

I këshilluar nga agjenti i tij, Zhorge Mendez, sulmuesi i ri i katalanasve nuk dëshiron “të kërcejë vallen” e zakonshme në futbollin spanjoll të klauzolave të jashtëzakonshme, që mund ta pengojnë në ëndrrat e tij, siç penguan për 12 muaj vetë Lionel Mesin. Ansu Fati dëshiron ta ketë fatin në duart e tij, dëshiron një kontratë vetëm 2-vjeçare, por kjo nuk e pengoi që të shkëlqente në “Kamp Nou” dhe të udhëhiqte Barcelonën në fitoren 3-1 ndaj Valencias në La Liga. Ishte një sukses tepër i rëndësishëm, sepse u arrit ndaj një rivali, dhe tregoi se ekipi i trajnerit Ronald Kuman mund të ketë të ardhme. Pse jo, kur në fushë ishin lojtarë si Fati, De Jong, Buskets, Depai, Kutinjo apo edhe Aguero! Nuk janë Mesi e Grizman, por talent ka me shumicë, siç janë edhe Pedri apo Gavi. Gaja kaloi Valencian në epërsi në 5’, por Fati barazoi në 13’ dhe fitoi penalltinë që kthe Depai në gol në 41’. Në fund, pati lavdi edhe për Filip Kutinjon që shënoi pas 11 muajve. Barcelona ka 15 pikë, ndërsa ka luajtur 8 ndeshje, kurse Sociedadi kryeson me 20 pikë dhe me 9 ndeshje. Shpresat për titull ekzistojnë, por kryesore është që ekipi “blaugrana” të lerë pas momentet e katastrofave si 0-3 me Bajernin e po 0-3 me Benfikën.

Sfidanti.al