Më në fund po e kalon atë që cilësohet si gjigandi i golit në Bundesligë. Erling Haland, me dy rrjetat e shënuara për Dortmundin këtë të shtunë, arriti në 9 goditje të sakta, ndërsa ka luajtur vetëm 6 ndeshje, duke pasur rendiment më të mirë sesa legjenda e Bajernit, Robert Levandovski, që është në nivelin e 7 golave në 7 ndeshje. Halandi, 21-vjeçar, shënoi dy herë duke i dhënë Borusias fitoren 3-1 në shtëpi ndaj Maincit e duke e nxjerrë përkohësisht ndoshta në vendin e parë në renditje me 18 pikë, ndaj 16 të Bajernit e Leverkusenit që luajnë sot. Norvegjezi ka 6 ndeshje e 9 gola në Bundesligë këtë sezon, 13 gola në 9 ndeshje gjithsej në edicion, dhe 70 gola në 68 ndeshje për Dortmundin gjithsej, që janë shifra të denja për Kristiano Ronaldon e kohëve më të mira, apo si dikur Gerd Myleri e Ferenc Pushkashi. Ç’të thuash për një lojtar që ka arritur në 150 gola (saktësisht 149), ndërsa është ende 21 vjeç, dhe ku do të jetë ai kur të ketë mbushur 35 apo 36 vjeç, nëse nuk i ndodh ndonjë dëmtim?
Sfidanti.al