Pesë gola dhe një asist, çfarë nisjeje sezoni nga Ernest Muçi

Futbollisti i Shqipërisë U21, i afruar edhe në kombëtaren e madhe, dhe që militon në Superligën polake me Legian e Varshavës, po luan edicionin e jetës. Në vetëm 16 ndeshje, ai ka mundur të shënojë 5 gola e të shërbejë 1 asist, ndonëse roli i tij nuk është qendërsulmues. Prova e fundit shumë e mirë ishte në fitoren 3-0 të Shqipërisë U21 ndaj Andorrës në “Elbasan Arena”, ku Muçi shënoi dy nga golat në ndeshjen eleminatore të Europianit. Pjesën tjetër të rrjetave ai e ka për Legian, nga të cilët ka 2 goditje në shenjë në 8 ndeshje në Ekstraklasa (kampionati i Polonisë), 1 gol në 3 ndeshje në raundet kualifikuese në Champions, dhe 1 asist në 1 ndeshje në Ligën e Europës, pikërisht aksionin e shkëlqyer në Moskë që solli golin e Lirim Kastratit ndaj Spartakut vendas. Në moshën 20-vjeçare, Muçi duket se do të ketë një të ardhme shumë të mirë, ndërsa shpreson të mbrojë titullin kampion të fituar sezonin e kaluar me Legian në Poloni e të përfshihet në kombëtare nga trajneri Edi Reja.

Sfidanti.al