Rekordi i Italisë me 37 sfida radhazi pa provuar shijen e disfatës është larg, por gjithsesi i mundshëm. Argjentina është, pas Algjerisë skuadra me serinë më të gjatë të pathyeshmërisë së ekipeve kombëtare të futbollit, veçse barazimi 0-0 në fushën e Paraguajit nuk ishte mënyra më e mirë për ta “shenjuar” këtë arritje. Simbolika më e mirë e atmosferës tek argjentinasit është gjendja emocionale e Lionel Mesit në përfundim të ndeshjes në Asunsion, ku ylli i Paris SG (për pak do të shkruanim, i Barcelonës) mbajti kokën me duar, i pakënaqur me veten.
Në mungesë edhe të Lautaro Martinezit, Mesi u duk i izoluar dhe jo shumë i përfshirë në lojë, ndërsa ndjen vështirësinë e sezonit të parë larg Barcelonës, ku i duhet të përshtatet tek PSG-ja. Kapiteni nuk mundi të thellonte më shumë rekordin e golave për kombëtaret amerikanolatine, duke pasur 79 pasi theu rekordin e Pelesë me 77. Emocionet më të mëdha në ndeshje i dhanë vendasit, pasi Paraguaji luftoi më fort pas pushimit duke testuar portierin e Argjentinës. Bardhekaltërit janë të pathyer në grupin eleminator të Kupës së Botës për Amerikën e Jugut, duke mbajtur vendin e dytë me 19 pikë e duke qenë vetëm prapa Brazilit. Ndeshjet e radhës janë me Uruguajin dhe Bolivinë, që të dyja në Buenos Aires.
Sfidanti.al