Nga FIFA zvicerane mund të kemi shpejt një FIFA amerikane!

Një zyrë në Paris e ka hapur para disa kohësh dhe u duk çudi. “Qeveria” botërore e futbollit e ka pasur dhe vazhdon ta ketë selinë në Zyrih të Zvicrës që nga viti 1932, pra për gati një shekull, duke zgjedhur qetësinë, sigurinë dhe neutralitetin e vendit helvetik. Jo më pak, faktin se ishte në qendër të kontinentit kryesor të futbollit Europës. Kjo, sidoqoftë mund të ndryshojë, dhe madje të shkojë në një drejtim ku askujt nuk ia priste mendja. Selia e re e FIFA-s mund të jetë në … Nju Jork, pra në SHBA. Një FIFA amerikane mund të zëvendësojë FIFA-n zvicerane dhe padyshim që kjo bëhet për interes. Kaq i madh duhet të jetë ky interes saqë organizata e drejtuar nga presidenti Infantino është gati të braktisë selinë prej 200 milionë eurosh të përuruar në 2007. “Nju Jork Tajmsi” shkruan se zhvendosja në Amerikë mund të ndodhë për arsye sponsorizimesh, vizash pune, por edhe për t’iu shmangur skandalit të korrupsionit që solli largimin e ish-presidentit Zep Blater. Të ardhurat vjetore të FIFA-s në 2018 arritën në 4.6 miliardë USD.

Sfidanti.al