Kriza e Kovidit, 2/3 e lojtarëve të Premier Ligës janë të pavaksinuar

Të jesh një sportist i nivelit të lartë nuk nënkupton domosdo që të kesh nivel të lartë arsimor për të kuptuar sesi funksionon shkenca dhe biznesi. Aq më tepër kur flasim për Premier Ligën angleze, ku ata që luajnë aty vijnë nga shumë vende të botës, shpesh të varfëra, apo edhe nga periferi të varfëra të qyteteve europiane (paska edhe të tilla!). Futbollistët që i bëjnë milionat me ndihmën e këmbëve, dhe të aftësive mendore që i bëjnë të luajnë mirë, madje nuk e kanë shumë të nevojshme që të “shkencërohen”, përderisa jetojnë aq mirë.

Të gjitha këto kanë bërë që këta lojtarë të jenë masivisht kundër vaksinimit ndaj koronavirusit, dhe të besojnë e propagandojnë teoritë e ashtuquajtura konspirative, që edhe sikur të jenë të vërteta, ata nuk janë në gjendje t’i shpjegojnë në mënyrë të besueshme se përse ndodhin. Dy të tretat e futbollistëve të Premier Ligës nuk janë vaksinuar, ndërsa diskutojnë teoritë kundër vaksinave, kundër Bill Gejtsit, për sterilizimin që sillkan vaksinat dhe për mos përdorimin e vitaminave. Me gjasë, qeveria britanike mund ta zgjidhë këtë çështje nëpërmjet vaksinimit të detyrueshëm.

Sfidanti.al