Për një gjë tashmë po binden në masë, futbolli gjithnjë e më shumë nuk do të jetë më tradicional si dikur. Nuk do të jetë më si më parë, kur spektakli, por edhe subjektiviteti mbanin gjallë debatet dhe e kthyen në sportin më popullor të globit. Fillimisht iu shtua “goal line technology”, që nëse do të ishte aplikuar që në vitin 1966, sipas orës së arbitrit, ndoshta sot Anglia nuk do të kishte asnjë titull botëror. Ndërsa tani është moda e VAR, që po pranohet masivisht si një teknologji, e cila po e pastron disi futbollin e luajtur nga vendimet e dyshimta arbitrale, por që po i ndan 90 minutëshat e ndeshjeve me seri, duke e bërë të ngjashëm sportin me një telenovelë.
Dhe së fundi, pasi u investuan një thes me para, teknologjia çudibërëse ka mbërritur edhe në Shqipëri, për t’u përdorur më së shumti si alibi. Ndërkohë që për ta paraqitur si risi, të cilën mendja jonë as që e kishte merituar, VAR-I shqiptar po trajtohet si një shpikje e Ajnshtainit dhe jo si një element i përshtatshëm për këdo që ndjek futboll. Të studio televizive ka zënë pjesën më të madhe të minutazhit, ku të gjithë ata që e shohin veten në një shkallë inteligjence më të lartë se ne, kanë marrë përsipër të na trajnojnë. Dhe kështu që tani kemi kuptuar, që për të thirrur VAR-in gjatë një ndeshje nevojitet një protokoll, i cili mund të vlerësohet vetëm nga arbitrat që ndodhen në furgonin e regjisë, ata të fushës dhe dashamirësit e Federatës, ndërsa ne njerëzit e thjeshtë të shkallëve dhe ekraneve të televizioneve, duhet që vetëm të presim të na surprizojnë. Sipas Sokol Jarecit, shefit të arbitrave në FSHF, tek Tirana – Egnatia goli i anuluar i Seferit e meritonte teknologjinë e re, ndërsa në rastin e Ngosë, ku pretendohej për një penallti, nuk kishte nevojë për VAR. Më pas, në një gazetë sportive citohej të kishte deklaruar, se arbitri i asaj ndeshje gaboi. Atëherë ne duhet të trajnohemi vërtetë, por për të kuptuar Jarecin…