Fitore me halle e Murinjos, por Roma është pranë kreut!

Tami Abraham, i marrë shtrenjtë nga Çelsi për 40 milionë euro, nxorri “gomarin verdhekuq” nga balta, në një ndeshje të vështirë në “Olimpiko” për Serinë A, me fitoren 1-0. Sesa e zorshme ishte, e theksoi trajneri i Udinezes, Goti, që tha se “nuk mund të dalësh duarbosh nga një ndeshje e tillë”. Lajmi i keq për Romën është që nuk do të ketë kapitenin Pelegrini për derbin ndaj Lacios, sepse futbollisti i rëndësishëm u përjashtua me karton të kuq. Sulmuesi anglez e shkroi emrin për herë të parë si shënues në shtëpi, dhe e bëri në mënyrë të veçantë, një gol me thembër, pas një aksioni të veçantë të Kalafiorit, që depërtoi gjysmën e fushës në krah derisa u çlirua për të harkuar në zonë.

Mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Marash Kumbulla, ishte në stol, ndërsa romanët patën disa raste në fillim me Mkitarianin e Zaniolon. Hallet për Romën nisën pas pushimit, kur u ndje lodhja dhe Udineze bëri presion. “Do të bëjmë çmos që ta kemi Pelegrinin në derbi, – tha Murinjo, – sa për pretendimet, ne nuk jemi kandidatë për asgjë, përvçese për të fituar ndeshjen e radhës”. Për momentin nuk është keq, pasi me 12 pikë është në vend të katërt në Serinë A, vetëm 3 pikë prapa Napolit.

Sfidanti.al