Boksi në Shkodër e futbolli me Laçin; Mjeshtrit e dhunës që nuk meritojnë “kacidhe” sponsorizimi!

Njëri nga specialistët më të njohur të sportit dhe po ashtu me nivel të lartë akademik, Artan Shyti, theksonte para disa kohëve se një nga arsyet që sporti shqiptar nuk financohet është sepse njerëzit që e drejtojnë atë i prishin imazhin vetes. Ajo që ka ndodhur ditët e fundit në futboll dhe në boks i vërtetojnë katërcipërisht fjalët e Shytit. Në “Elbasan Arena”, në ndeshjen e Abisnet Superligës, Dinamo-Laçi, ndërsa gjyqtari shkoi të këshillohej me VAR-in për një pretendim të kryeqytetasve, ai u vu nën presion direkt të sharjeve, ofendimeve dhe kërcënimeve nga njerëz të lidhur me klubin kurbinas, dhe që ishin në tribunën VIP. Asnjë masë nuk u mor ndaj tyre, dhe kompania që thuhet se garanton sigurinë në stadium nuk lëvizi as gishtin, e në këtë rast gjyqtarët e morën mesazhin (nëse nuk e kishin marrë më parë). Natyrisht që vendimi ishte kundër Dinamos.

Të shtunën ndërkaq, në Pallatin e Sportit në Shkodër, plasi sherri në kampionatin kombëtar të boksit, ndërsa gjyqtaria u vendos nën presion me sharje dhe kërcënime nga pala shkodrane, pas një ndeshjeje të një boksieri të Vllaznisë dhe njërit të Tiranës. Sharjet dhe ofendimet shihen me pamje dhe me zë, por as në këtë rast rojet e sigurisë (që ishin të Policisë së Shtetit) nuk reaguan. Jo vetëm kaq, por nuk reaguan as kur plasi grushti, të cilin e mbyllën vetë njerëz të të dy ekipeve. Me këtë imazh prej “të fortësh”, drejtuesit e sportit në Shqipëri mund të fitojnë ndonjë ndeshje futbolli apo boksi, por aspak nuk fitojnë të ardhmen, pasi çdo kompani serioze private apo publike u rri larg si “djalli nga temjani”.

Sfidanti.al