Samuel Eto festoi si i çmendur kur topi hyri në rrjetë në minutën e 88-të. Një nga sulmuesit më të mirë të botës në 20 vitet e fundit nuk pati fatin që gjatë karrierës së tij ta fitonte këtë trofe kaq të dashur, në radhët e ekipit kombëtar. Nuk prish punë! Ia doli brezi i tanishëm i Mukanxhos, N’Kulut, Basogogut, Zuasë dhe Abubakarit. Ky ishte trofeu i pestë në histori për “luanët e pamposhtur”, veçse i pari që nga viti 2002.
Pesëmbëdhjetë vjet pa trofe dhe fakti se përballë patën Egjiptin rekordmen të titujve, bëri që Kameruni të mos ishte favorit, përkundrazi. Gjithsesi, kamerunasit i kishin hedhur poshtë të gjitha parashikimet ndërsa kishin arritur deri në finale, ndaj nuk e patën problem t’i nxjerrin specialistët edhe një herë të gabuar. Kjo, pavarësisht se Mohamed Elneni i kaloi “faraonët” në epërsi që në minutën e 22-të.
Me përkrahjen e shumicës së 40 000 spektatorëve në stadiumin e kryeqytetit të Gabonit (ku shumica e 500 000 emigrantëve janë kamerunas), skuadra e “Afrikës së Zezë” reagoi në pjesën e dytë duke dominuar. Ajo mbajti topin 57 për qind, gjuajti 15 herë drejt portës ndaj 4 të kundërshtarit (edhe pse vetëm 3 në kuadrat) dhe pati epërsi në goditjet nga këndi 6-0. Zëvendësuesi Nikolas N’Kulu barazoi në 59’ dhe Vinsent Abubakar shënoi golin e fitores në 88’.
Kjo ishte e 5-të për Kamerunin, ndërsa Egjipti nuk e fitoi dot trofeun e 8-të. Trajneri i egjiptianëve, argjentinasi Hektor Raul Kuper humbi një tjetër finale, të gjashtën pas atyre në 1999 në Kupën e Kupave të Europës, në 2000 e 2001 në Ligën e Kampionëve, në Kupën e Mbretit në Spanjë në 1998 dhe në Kupën e Greqisë në 2010. Po ashtu, humbi titullin kampion me Interin në javën e fundit në 2002.
Sfidanti.AL