Lajm i mirë për Milanin, Pulisic rikthehet në stërvitje

Milani ka marrë një lajm shumë pozitiv në prag të ndeshjes së radhës në kampionat, pasi Christian Pulisic është rikthyer plotësisht në stërvitje me grupin dhe është konsideruar i gatshëm për sfidën ndaj Genoa-s.

Sipas raportimeve nga kampi kuqezi, amerikani është bashkuar sot me pjesën tjetër të skuadrës dhe është vënë në dispozicion të trajnerit Massimiliano Allegri, duke dhënë sinjale të qarta se është rikuperuar plotësisht. Pulisic ishte detyruar të mungonte në minutat e fundit para ndeshjes së humbur ndaj Atalantës në “San Siro”, për shkak të një shqetësimi muskulor. Megjithatë, ekzaminimet mjekësore kishin përjashtuar një dëmtim serioz, duke lënë të hapur mundësinë e rikthimit të shpejtë.

Tani, me rikthimin e tij në grup, Pulisic pritet të jetë pjesë e listës së lojtarëve për ndeshjen e rëndësishme në transfertë ndaj Genoas, një duel që mund të ketë peshë të madhe në garën për objektivat sezonalë të Milanit. Kthimi i tij shihet si një përforcim i rëndësishëm për repartin ofensiv të kuqezinjve në një moment delikat të sezonit.

Sfidanti.al