Kur u largua nga Interi pa mundur të tregonte potencialin e vërtetë, shumëkush pati keqardhje dhe mërzitje për të. Rej Manaj dukej si i paracaktuar për të bërë përpara në karrierë, duke qenë lideri i Shpresave zikaltër, por kjo gjë nuk u sendërtua. Pasi shkoi disa sezone kot në Itali, dhe pasi e mori veten deri diku tek Albasete në ligën e dytë spanjolle, ai veshi një fanelë të madhe, ndonëse kjo ishte vetëm gjysmë e vërtetë. Me Barcelonën B luajti në ligën e tretë spanjolle, pra në një klub shumë të madh dhe në një kampionat shumë të vogël. Gjithsesi, një sezon mjaft i mirë me “blaugranët” bëri që aksionet e Manajt të rriteshin, po ashtu duke përfituar nga kriza e rëndë financiare katalanase. Sulmuesi i kombëtares, pasi shkëlqeu në fazën përgatitore me 5 gola në vetëm 90’ për ekipin e parë të Barcelonës, është kthyer në një lojtar shumë të kërkuar. Plot 5 oferta kanë ardhur në “Kamp Nou”, nga Rajo Vajekano në La Liga, Kaljari në Serinë A, Frajburgu në Bundesligë, Anderlehti në Belgjikë dhe Fenerbahçe në Turqi. Barça ka shpenzuar 700 000 euro për të, dhe shpreson të fitojë nga 3 deri në 5 milionë.
Sfidanti.al