Gerd Myleri, futbolli nuk ka legjendë më të madhe të golit!

Kur mbërriti me biçikletën e tij, nuk bindi askënd. Djaloshi 18-vjeçar tha se quhej Gerd Myler, një emër që nuk tregonte asgjë, ndërsa trajneri i Bajernit, Zllatko Çajkovski, krijoi për të fjalët “Myleri i shkurtër dhe i shëndoshë”. “Shumë i vogël, nuk do të kalojë”, – mendoi tekniku kroat, në atë kohë jugosllav, por pastaj ndryshoi mendje dhe pohoi se lojtari më i madh që kishte zbuluar ishte pikërisht Myleri. i lindur në qytetin e vogël Nërdlingen, ai shënoi 240 gola në një vit për ekipin amator TSV 1861, dhe nuk ishte askushi as kur u bashkua me Bajernin, që luante në atë kohë në ligën rajonale.

Gjithsesi, mjaftoi një sezon për të kuptuar se për çfarë bëhej fjalë dhe emri Gerd Myler u bë mishërimi i golit. Ai u shpall 7 herë Këpuca e Artë e Bundesligës, fitoi 4 tituj në Gjermani dhe 3 Champions, si dhe trofe të tjerë të shumtë. Me kombëtaren e Gjermanisë Perëndimore të asaj kohe, Myleri fitoi Kampionatin Europian në 1972 pas fitores 3-0 ndaj Bashkimit Sovjetik, dhe kulmi i suksesit, Kupa e Botës 1974, pas triumfit 2-1 kundër Holandës në finalen e luajtur në Mynih.

Nuk ka në histori legjendë më të madhe të golit. Myleri shënoi 358 gola në 453 ndeshje Bundeslige për bavarezët, me mesatare 0.79 gola për ndeshje. Pati 563 rrjeta në 605 paraqitje për Bajernin, dhe mesatarja ishte 0.93 gola për ndeshje. Për kombëtaren e Gjermanisë, realizoi 68 herë në 62 dalje në fushë, dhe mesatarja ishte 1.1 golash për ndeshje. Në total, me klubet e me kombëtaren, Myleri arriti në 722 gola në 778 ndeshje, dhe mesatarja ishte e mrekullueshme me 0.93 gola për ndeshje.

Vetëm një lojtar i rrallë si hungarezi Ferenc Pushkash mund të mburrej për nivel më të lartë, me 709 gola në 714 ndeshje zyrtare, që do të thotë mbi 0.99 gola për ndeshje, ndërsa legjendari Pele është disi me poshtë, me 0.92 gola për ndeshje. Kristiano Ronaldo e Lionel Mesi vërtet kanë shënuar më shumë, por u janë dashur shumë më tepër ndeshje.

Me t’u marrë vesh lajmi i hidhur i vdekjes së tij në moshën 75-vjeçare, në Bundesligë u mbajt një minutë zi. Bajerni e nderoi siç i takonte, por respektin ia kishte bërë që më parë. Sipas kulturës më shumë shoqërore gjermane, e mbajti afër kur sulmuesi iu dha pijes për arsye të ndryshme, ndryshe nga sa bëri Mançester Junajtidi me të paharruarin Xhorxh Best. Mylerit iu dha një punë si trajner në Mynih, dhe shokët i ndenjën pranë, derisa ishte e pamundur që ai të vazhdonte të jetonte. Tashmë, tifozët në Gjermani dhe në gjithë botës do të vazhdojnë ta kujtojnë me golat e tij të shumtë e të veçantë.

Sfidanti.al