Laçi dhe Teuta, sa ndryshe dy kualifikimet shqiptare në Europë

Mjafton të shikoni reagimet dhe urimet që kanë shpërthyer nga të gjitha anët, të ndiqni entuziazmin e madh që është krijuar, dhe të kuptoni se kualifikimi me të vërtetë i lumtur shqiptar në Ligën e Konferencës ishte ai i Laçit. Skuadra e trajnerit Shpëtim Duro dhe e presidentit Laska eleminoi një skuadër superiore si Universitatea e Krajovës, me shumë më tepër histori në futbollin e Rumanisë dhe të Europës, duke luftuar për 180 minuta deri në frymën e fundit, me vrapime, duele të fortë dhe emocione.

Po durrsakët? Teuta vërtet kaloi turin dhe klubi mund të mburret se bashkë me Championsin ka mbledhur gati 1.5 milionë euro të ardhura. T’i gëzojnë! Gjithsesi, djersa e derdhur në të dyja ndeshjet ishte më e paktë sesa e kurbinasve në vetëm disa minuta. Ose fjeti gjumë njëra skuadër në një ndeshje, ose tjetra në ndeshjen tjetër, ose që të dyja.

Në 5 dhe 12 gusht, Laçi do të ketë përballë një ekip historik si Anderlehti i Belgjikës në raundin e tretë të Ligës së Konferencës. Do të jetë e vështirë të arrihet plej ofi, pasi diferenca duket e madhe, por nuk duhet të harrojmë se e madhe ishte diferenca edhe e Flamurtarit me Partizanin e Beogradit dhe me Barcelonën, por në fushë ajo nuk u duk fare, ashtu si edhe e 17 Nëntorit (Tiranës) me Dinamon e Bukureshtit.

Sfidanti.al